Post image
Fillon trajnimi për përkthyes në AZGJ – viti i pestë me radhë

Apr 15, 2026

Fillon trajnimi për përkthyes në AZGJ – viti i pestë me radhë Agjencia e Zbatimit të Gjuhës ka nisur sot programin e trajnimit për përkthyes, tashmë në vitin e pestë me radhë. Ky trajnim është shndërruar në një traditë të rëndësishme institucionale, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e zbatimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore. Këtë vit, pjesëmarrësit përfshijnë kryesisht përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe nga komunat, duke e bërë programin më gjithëpërfshirës dhe duke rritur ndikimin e tij në nivel qendror dhe lokal. Trajnimi do të zgjasë tri javë, me nga dy ditë ligjërata në javë, ndërsa pjesëmarrësit do të ndahen në dy grupe për të siguruar qasje më të personalizuar dhe ndërvepruese. Ligjëratat do të mbahen nga profesorë universitarë, të cilët sjellin përvojë akademike dhe praktike në fushën e përkthimit. Ky trajnim është një nga format konkrete të mbështetjes që Agjencia e Zbatimit të Gjuhës u ofron institucioneve shtetërore, me qëllim që zbatimi i gjuhëve zyrtare të jetë i saktë, dinjitoz dhe i unifikuar në administratën publike. Përmes tij, përkthyesit përgatiten për sfidat e komunikimit institucional dhe forcohen standardet e përdorimit të gjuhës në dokumentet zyrtare. Në ditën e parë të programit, tema e trajtuar është “Krahasim dhe analizë tekstesh të përkthyera dhe rregulla drejtshkrimi”, e ligjëruar nga profesoresha Ajtene Qamili. Përmes këtij sesioni, pjesëmarrësit marrin bazat e nevojshme për të kuptuar dhe përkthyer me saktësi dokumentet zyrtare, duke e bërë hapjen e trajnimit një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e tyre profesionale.

Post image
MEGJITHATË, GJUHA SHQIPE ËSHTË ZYRTARE

Mar 12, 2026

 (Reagim ndaj qëndrimit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski)Në mbledhjen e djeshme, Gjykata Kushtetuese e RMV-së hodhi poshtë nismën për shqyrtimin e sistemit “Safe City”, e në këtë rast edhe përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat kundërvajtëse. Kryetari i kësaj gjykate, Darko Kostadinovski tha se kjo nuk është fare problem. Sipas tij, më e logjikshme do të ishte që SMS-të të dërgohen vetëm në maqedonisht dhe në anglisht. Dhe më tej ai shtoi se nuk guxojmë të harrojmë se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare e këtij shteti.Lidhur me këtë qëndrim të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së është e udhës të reagojë si vijon: Mbase është e vërtetë se në Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, neni 1, thuhet se gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, të cilin e citon kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Por, krahas kësaj, ai nuk e citoi edhe paragrafin e dytë të këtij neni ku, po ashtu, thuhet se gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 % e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.Prandaj AZGJ-ja konsideron se ky qëndrim i tij është i njëanshëm, tendencioz dhe kundër gjuhës shqipe. Gjykata Kushtetuese si institucioni më i lartë shtetëror juridik duhet të jetë mbrojtëse e ligjit dhe jo shpërfillëse e tij. Për fat të keq, në këtë rast ajo u tregua selektive dhe shpërfillëse, bashkë me kryetarin e saj, duke e injoruar e anashkaluar gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj zyrtar.Kjo gjykatë duhet t’i tejkalojë paragjykimet dhe tendencat për sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe të marrë qëndrime të drejta, si dhe të prononcohet në pajtim me ligjin, përndryshe nuk do të jetë në harmoni me kushtetutën dhe ligjet, si dhe nuk do të kontribuojë në aspektin e zbatimit ligjor të gjuhëve zyrtare. Megjithatë, krahas maqedonishtes, edhe gjuha shqipe ështëzyrtare në RMV.

Post image
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare shënohet me aktivitet solemn dhe shkencor në organizim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës

Feb 23, 2026

 Sot, në ambientet e Klubit të Deputetëve në Shkup, u mbajt aktiviteti solemn dhe shkencor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, me temën: “Fjalori i ri i gjuhës shqipe, konteksti i përdorimit praktik”, në organizim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës.Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Granit Osmani, i cili theksoi rëndësinë e mbrojtjes, zhvillimit dhe zbatimit të drejtë të gjuhës shqipe në institucionet e vendit, si dhe rolin e fjalorit si instrument themelor për standardizimin dhe avancimin e saj.Me fjalë rasti u drejtuan gjithashtu Zëvendës kryeministri i parë i Qeverisë, Bekim Sali, Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në RMV, Florian Qehaja, të cilët vlerësuan rëndësinë e gjuhës amtare si shtyllë identitare, kulturore dhe institucionale.Referatin qendror mbi rëndësinë e gjuhës amtare e paraqiti, këshilltari shtetëror në AZGJ, Ahmet Selmani, i cili trajtoi dimensionin historik, kulturor dhe shoqëror të gjuhës shqipe, duke e theksuar rolin e saj në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në ndërtimin e diskursit bashkëkohor.Në kuadër të pjesës shkencore, tryezës së rrumbullakët, të moderuar nga këshilltari shtetëror i lektutës Nebi Bilalli, u zhvilluan dy panele diskutimi me pjesëmarrjen e akademikëve dhe profesorëve universitar, ndër ta edhe akademik Valter Memisha. Diskutimet u fokusuan në çështje që lidhen me Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, leksikografinë në epokën digjitale, përdorimin praktik të fjalorit online, si dhe sfidat historike dhe bashkëkohore të gjuhës shqipe. Në kuadër të tryezës shkencore, profesorët pjesëmarrës trajtuan tema me rëndësi të veçantë për zhvillimin, pasurimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe.Prof. dr. Idajete Sinani foli për përfaqësimin e leksikut dialektor nga të folmet e RMV-së në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së pasurisë gjuhësore vendore në fjalorin kombëtar. Prof. Dr.Berton Sulejmani u ndal te versioni online i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe dhe përdorimi praktik i tij në Maqedoninë e Veriut sot, duke vënë në pah qasjen më të lehtë dhe funksionalitetin në kohën digjitale.Prof.dr.Ajtene Qamili trajtoi rëndësinë e fjalorit elektronik për brezat e epokës digjitale, duke theksuar rolin e teknologjisë në afrimin e të rinjve me gjuhën standarde. Prof. dr. Ismet Osmani e paraqiti fjalorin shpjegues si instrument fiksues të leksikut të gjuhës shqipe, me rol kyç në standardizimin dhe ruajtjen e saj.Ndërsa Prof. dr. Qerim Lita solli një analizë historike mbi represionin ndaj gjuhës shqipe në RS të Maqedonisë gjatë viteve 1981–1990, duke ndriçuar sfidat dhe përpjekjet për ruajtjen e identitetit gjuhësor.Prof.dr Izer Maksuti trajtoi temën “Leksikografia shqiptare në epokën digjitale: perspektiva mbi fjalorin e ri të shqipes”, duke ofruar një vështrim mbi drejtimet e reja të hartimit të fjalorëve në kontekstin teknologjik.Ndërsa Prof. dr. Demush Bajrami me temën “Gjuha në epokën digjitale: Si e përjetojmë gjuhën në realitetin bashkëkohor” analizoi ndikimin e transformimeve digjitale në përdorimin dhe perceptimin e gjuhës sot.Ky aktivitet shënoi një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kulturës gjuhësore, në thellimin e debatit shkencor mbi leksikografinë dhe në fuqizimin e përdorimit praktik të fjalorit në kontekstin institucional dhe digjital.Agjencia e Zbatimit të Gjuhës mbetet e përkushtuar në avancimin e statusit të gjuhës shqipe dhe në mbështetjen e iniciativave që forcojnë kulturën e përdorimit korrekt dhe profesional të saj në të gjitha nivelet e jetës publike dhe institucionale.

Post image
Formësimi i së Ardhmes: Arsimi & Inovacioni në Shoqërinë Digjitale

Dec 24, 2025

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës pjesë e Konferencës së 8 të Ndërkombëtare “Formësimi i së Ardhmes: Arsimi & Inovacioni në Shoqërinë Digjitale” Agjencia e Zbatimit të Gjuhës do të marrë pjesë si partner institucional në Konferencën e 8 të Ndërkombëtare “Formësimi i së Ardhmes: Arsimi & Inovacioni në Shoqërinë Digjitale”, e organizuar nga Fakulteti i Edukimit pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, Shqipëri. Konferenca do të zhvillohet më 29–30 prill 2026, në format hibrid (me prezencë fizike dhe online). Në këtë aktivitet shkencor ndërkombëtar, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës merr pjesë së bashku me universitete dhe qendra kërkimore nga Sllovakia, Italia, Spanja, Rumania, Polonia, Lituania, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, duke ofruar një platformë shkencore për diskutimin e ndikimit të digjitalizimit, teknologjive të reja dhe zhvillimeve shoqërore në arsim dhe shkencat humane. Aplikimet tashmë janë të hapura për dorëzimin e abstrakteve në temat kryesore të konferencës, që përfshijnë inovacionin në arsim, shëndetin mendor të të rinjve, transformimin digjital, gjuhën shqipe, gjuhët e huaja, letërsinë dhe mësimin gjatë gjithë jetës. Për të parë temat dhe për të aplikuar, klikoni këtu: https://uamd.edu.al/.../uploads/2025/12/Call-for-paper.docx Afati për dorëzimin e abstrakteve është 1 shkurt 2026. Agjencia e Zbatimit të Gjuhës mirëpret bashkëpunimin shkencor dhe pjesëmarrjen e studiuesve në këtë aktivitet ndërkombëtar.

Post image
TË PUNËSUARIT E AZGJ-SË NDOQËN NJË TRAJNIM PËR PËRSOSMËRI PROFESIONALE

Dec 24, 2025

 Gjatë javës së kaluar (10-12 dhjetor), të punësuarit e Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës të RMV-së ndoqën një trajnim treditor për përsosmëri profesionale me temë “Zbatimi i zgjidhjeve të reja ligjore në menaxhimin e burimeve njerëzore”, si dhe me temën tjetër “Analiza funksionale, organizimi i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës”. Trajnimi në fjalë u mbajt në hapësirat e hotelit “Drin” në Strugë. Të punësuarit e AZGJ-së gjatë ndjekjes së këtij trajnimi u njohën hollësisht me risitë që përmban Ligji i Nëpunësve Administrativë, veçmas në aspektin e punësimit, të avancimit, të vlerësimit, të menaxhimit të performancës, të rrogës dhe të shtesave të tjera të saj etj. Po ashtu, ata u informuan edhe me risitë e Ligjit të të Punësuarve në Sektorin Publik, sidomos me pjesën që ka të bëjë me mobilitetin, me punën në distancë, me ndryshimet dhe detyrimet e reja që njëra pjesë do të hyjë në fuqi në vitin 2026 dhe pjesa tjetër do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027. Edhe për sa i përket temës së dytë, të punësuarit u njohën me disa aspekte të funksionimit, siç është ajo që lidhet me përgatitjen e analizës funksionale duke filluar nga qëllimi i saj, metodologjia e përpilimit e deri te zbatimi konkret. Krahas kësaj ata u njohën edhe me mënyrën e përgatitjes së rregullores së sistematizimit, me përgatitjen e rregullores së organizimit të brendshëm, me katalogun e vendeve të punës, me procedurat për ndryshimin e rregulloreve, me harmonizimin me ndryshimet ligjore dhe me qëllimet strategjike etj. Në fund, të punësuarit e AZGJ-së morën nga një certifikatë për ndjekjen e këtij trajnimi për përsosmëri profesionale.

Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk