news image
Vazhdon me sukses dita e dytë e Konferencës së 8-të Ndërkombëtare në Durrës

 Ka vijuar sot punimet dita e dytë e Konferencës së 8-të Ndërkombëtare me temë “Formësimi i së Ardhmes: Arsimi dhe Inovacioni në Shoqërinë Digjitale”, e cila po mbahet në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.Punimet e ditës së dytë u zhvilluan përmes sesioneve paralele shkencore, ku studiues dhe ekspertë nga vende të ndryshme prezantuan punime që trajtojnë sfidat dhe mundësitë e arsimit në epokën digjitale. Diskutimet u fokusuan në qasjet inovative në mësimdhënie, përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim, si dhe zhvillimin e kompetencave gjuhësore në një shoqëri gjithnjë e më të digjitalizuar.Në këtë konferencë, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës vazhdon pjesëmarrjen aktive si bashkëorganizatore, duke kontribuar në promovimin e politikave gjuhësore dhe avancimin e përdorimit të standardit gjuhësor në kontekstin akademik dhe institucional.Gjatë ditës së parë të konferencës u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e gjuhës, arsimit dhe kërkimit shkencor.Konferenca përmbylli me sukses punimet e saj, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e arsimit dhe inovacionit në shoqërinë digjitale.

May 4, 2026
news image
Drejtori i AZGj-së bashkëorganizator i Konferencës së 8-të Ndërkombëtare në Durrës; nënshkruhet memorandum bashkëpunimi

 Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Granit Osmani, së bashku me ndihmësudhëheqësen e Sektorit për mbështetje të drejtorit Shpresa Zeqiri Ibrahimi dhe Liber Emini e Ubejd Ramani nga kabineti i drejtorit, morën pjesë në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare me temë “Formësimi i së Ardhmes: Arsimi dhe Inovacioni në Shoqërinë Digjitale”, ku AZGJ paraqitet në cilësinë e bashkëorganizatorit.Konferenca, që po mbahet më 29 e 30 prill 2026 në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ka mbledhur studiues, profesorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme, duke trajtuar tema që lidhen me arsimin, teknologjinë dhe sfidat e shoqërisë digjitale.Në kuadër të kësaj ngjarjeje të rëndësishme akademike, drejtori Granit Osmani zhvilloi takime të rëndësishme institucionale. Delegacioni i AZGJ-së u prit nga profesoresha Manjola Zaçellari dhe rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, prof. dr. Shkëlqim Fortuzi, me ç’rast u nënshkrua edhe Memorandum i Bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Nënshkrimi i këtij memorandumi synon thellimin e bashkëpunimit në fushën e gjuhës, arsimit dhe projekteve të përbashkëta shkencore.Në këtë drejtim, ky memorandum pritet të hapë rrugë për iniciativa të reja akademike, shkëmbime profesionale dhe zhvillimin e projekteve që kontribuojnë në avancimin e përdorimit dhe standardizimit të gjuhës në kontekstin e shoqërisë moderne digjitale.Pjesëmarrja e AZGJ-së në këtë konferencë dhe roli i saj si bashkëorganizatore dëshmon përkushtimin institucional për të qenë pjesë aktive e proceseve ndërkombëtare që lidhen me arsimin dhe inovacionin.

Apr 30, 2026
news image
Fillon trajnimi për përkthyes në AZGJ – viti i pestë me radhë

Fillon trajnimi për përkthyes në AZGJ – viti i pestë me radhë Agjencia e Zbatimit të Gjuhës ka nisur sot programin e trajnimit për përkthyes, tashmë në vitin e pestë me radhë. Ky trajnim është shndërruar në një traditë të rëndësishme institucionale, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e zbatimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore. Këtë vit, pjesëmarrësit përfshijnë kryesisht përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe nga komunat, duke e bërë programin më gjithëpërfshirës dhe duke rritur ndikimin e tij në nivel qendror dhe lokal. Trajnimi do të zgjasë tri javë, me nga dy ditë ligjërata në javë, ndërsa pjesëmarrësit do të ndahen në dy grupe për të siguruar qasje më të personalizuar dhe ndërvepruese. Ligjëratat do të mbahen nga profesorë universitarë, të cilët sjellin përvojë akademike dhe praktike në fushën e përkthimit. Ky trajnim është një nga format konkrete të mbështetjes që Agjencia e Zbatimit të Gjuhës u ofron institucioneve shtetërore, me qëllim që zbatimi i gjuhëve zyrtare të jetë i saktë, dinjitoz dhe i unifikuar në administratën publike. Përmes tij, përkthyesit përgatiten për sfidat e komunikimit institucional dhe forcohen standardet e përdorimit të gjuhës në dokumentet zyrtare. Në ditën e parë të programit, tema e trajtuar është “Krahasim dhe analizë tekstesh të përkthyera dhe rregulla drejtshkrimi”, e ligjëruar nga profesoresha Ajtene Qamili. Përmes këtij sesioni, pjesëmarrësit marrin bazat e nevojshme për të kuptuar dhe përkthyer me saktësi dokumentet zyrtare, duke e bërë hapjen e trajnimit një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e tyre profesionale.

Apr 15, 2026
news image
MEGJITHATË, GJUHA SHQIPE ËSHTË ZYRTARE

 (Reagim ndaj qëndrimit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski)Në mbledhjen e djeshme, Gjykata Kushtetuese e RMV-së hodhi poshtë nismën për shqyrtimin e sistemit “Safe City”, e në këtë rast edhe përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat kundërvajtëse. Kryetari i kësaj gjykate, Darko Kostadinovski tha se kjo nuk është fare problem. Sipas tij, më e logjikshme do të ishte që SMS-të të dërgohen vetëm në maqedonisht dhe në anglisht. Dhe më tej ai shtoi se nuk guxojmë të harrojmë se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare e këtij shteti.Lidhur me këtë qëndrim të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së është e udhës të reagojë si vijon: Mbase është e vërtetë se në Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, neni 1, thuhet se gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, të cilin e citon kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Por, krahas kësaj, ai nuk e citoi edhe paragrafin e dytë të këtij neni ku, po ashtu, thuhet se gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 % e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.Prandaj AZGJ-ja konsideron se ky qëndrim i tij është i njëanshëm, tendencioz dhe kundër gjuhës shqipe. Gjykata Kushtetuese si institucioni më i lartë shtetëror juridik duhet të jetë mbrojtëse e ligjit dhe jo shpërfillëse e tij. Për fat të keq, në këtë rast ajo u tregua selektive dhe shpërfillëse, bashkë me kryetarin e saj, duke e injoruar e anashkaluar gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj zyrtar.Kjo gjykatë duhet t’i tejkalojë paragjykimet dhe tendencat për sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe të marrë qëndrime të drejta, si dhe të prononcohet në pajtim me ligjin, përndryshe nuk do të jetë në harmoni me kushtetutën dhe ligjet, si dhe nuk do të kontribuojë në aspektin e zbatimit ligjor të gjuhëve zyrtare. Megjithatë, krahas maqedonishtes, edhe gjuha shqipe ështëzyrtare në RMV.

Mar 12, 2026
news image
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare shënohet me aktivitet solemn dhe shkencor në organizim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës

 Sot, në ambientet e Klubit të Deputetëve në Shkup, u mbajt aktiviteti solemn dhe shkencor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, me temën: “Fjalori i ri i gjuhës shqipe, konteksti i përdorimit praktik”, në organizim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës.Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, Granit Osmani, i cili theksoi rëndësinë e mbrojtjes, zhvillimit dhe zbatimit të drejtë të gjuhës shqipe në institucionet e vendit, si dhe rolin e fjalorit si instrument themelor për standardizimin dhe avancimin e saj.Me fjalë rasti u drejtuan gjithashtu Zëvendës kryeministri i parë i Qeverisë, Bekim Sali, Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në RMV, Florian Qehaja, të cilët vlerësuan rëndësinë e gjuhës amtare si shtyllë identitare, kulturore dhe institucionale.Referatin qendror mbi rëndësinë e gjuhës amtare e paraqiti, këshilltari shtetëror në AZGJ, Ahmet Selmani, i cili trajtoi dimensionin historik, kulturor dhe shoqëror të gjuhës shqipe, duke e theksuar rolin e saj në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në ndërtimin e diskursit bashkëkohor.Në kuadër të pjesës shkencore, tryezës së rrumbullakët, të moderuar nga këshilltari shtetëror i lektutës Nebi Bilalli, u zhvilluan dy panele diskutimi me pjesëmarrjen e akademikëve dhe profesorëve universitar, ndër ta edhe akademik Valter Memisha. Diskutimet u fokusuan në çështje që lidhen me Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, leksikografinë në epokën digjitale, përdorimin praktik të fjalorit online, si dhe sfidat historike dhe bashkëkohore të gjuhës shqipe. Në kuadër të tryezës shkencore, profesorët pjesëmarrës trajtuan tema me rëndësi të veçantë për zhvillimin, pasurimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe.Prof. dr. Idajete Sinani foli për përfaqësimin e leksikut dialektor nga të folmet e RMV-së në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së pasurisë gjuhësore vendore në fjalorin kombëtar. Prof. Dr.Berton Sulejmani u ndal te versioni online i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe dhe përdorimi praktik i tij në Maqedoninë e Veriut sot, duke vënë në pah qasjen më të lehtë dhe funksionalitetin në kohën digjitale.Prof.dr.Ajtene Qamili trajtoi rëndësinë e fjalorit elektronik për brezat e epokës digjitale, duke theksuar rolin e teknologjisë në afrimin e të rinjve me gjuhën standarde. Prof. dr. Ismet Osmani e paraqiti fjalorin shpjegues si instrument fiksues të leksikut të gjuhës shqipe, me rol kyç në standardizimin dhe ruajtjen e saj.Ndërsa Prof. dr. Qerim Lita solli një analizë historike mbi represionin ndaj gjuhës shqipe në RS të Maqedonisë gjatë viteve 1981–1990, duke ndriçuar sfidat dhe përpjekjet për ruajtjen e identitetit gjuhësor.Prof.dr Izer Maksuti trajtoi temën “Leksikografia shqiptare në epokën digjitale: perspektiva mbi fjalorin e ri të shqipes”, duke ofruar një vështrim mbi drejtimet e reja të hartimit të fjalorëve në kontekstin teknologjik.Ndërsa Prof. dr. Demush Bajrami me temën “Gjuha në epokën digjitale: Si e përjetojmë gjuhën në realitetin bashkëkohor” analizoi ndikimin e transformimeve digjitale në përdorimin dhe perceptimin e gjuhës sot.Ky aktivitet shënoi një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kulturës gjuhësore, në thellimin e debatit shkencor mbi leksikografinë dhe në fuqizimin e përdorimit praktik të fjalorit në kontekstin institucional dhe digjital.Agjencia e Zbatimit të Gjuhës mbetet e përkushtuar në avancimin e statusit të gjuhës shqipe dhe në mbështetjen e iniciativave që forcojnë kulturën e përdorimit korrekt dhe profesional të saj në të gjitha nivelet e jetës publike dhe institucionale.

Feb 23, 2026
Informacion kontakti
  • St., "Philip the Second of Macedonia" no. 11,
    3rd floor Skopje, Republic of North Macedonia

  • Phone number
    02 312 1731
  • Email
    info@apj.gov.mk